Intervistë për Revistën Monitor e Znj. Qëndresa Mehmeti

11/22/2021

Potenciali për fotovoltaikët i lartë, sektori i prodhimit zë 75% të projekteve të mbështetura deri më tani.

Qëndresa Mehmeti, Drejtuese e Divizionit të Riskut të Kredisë dhe Administrimit të Riskut në ProCredit Bank, gjatë kësaj interviste ndër të tjera thekson se: Investimet për burime të rinovueshme të energjisë dhe specifikisht ato për energjinë diellore kanë bërë që edhe institucionet financiare të dedikojë produkte specifike. Qëndresa Mehmeti, Drejtuese e Divizionit të Riskut të Kredisë dhe Administrimit të Riskut në ProCredit Bank shprehet se portofoli i mbështetjes së projekteve fotovoltaikë ka ardhur në rritje. Kriza e energjisë dhe çmimet e rritura gjatë këtij viti kanë bërë që bizneset në treg të lirë të shohin me interes instalimin e impianteve fotovoltaike dhe ProCredit Bank ka mbështetur në 10 muaj të këtij viti dy herë më shumë projekte krahasuar me dy vitet e mëparshëm së bashku

 

Kriza e fundit e energjisë shtoi edhe më shumë interesin e biznesit për t’u orientuar drejt fotovoltaikëve në kushtet kur çmimet në treg të lirë kapën vlera të larta. Ju a e keni ndjerë këtë rritje interesi për investime të kësaj natyre?

Çmimi i energjisë elektrike në tregun e lirë të energjisë elektrike është rritur ndjeshëm. U vu re një rritje e lehte që në muajin Mars. Kjo rritje vazhdoi në muajt në vijim dhe kulmoi në muajin Tetor 2021. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, çmimi i energjisë në Tetor 2021 ishte rreth 5 herë më i lartë. Momentalisht, ky kërcim i çmimit të energjisë ka ndikuar në mënyrë direkte ato biznese të cilat kanë dalë tashmë në tregun e lirë për blerjen e energjisë elektrike. Kuptohet që kjo rritje e çmimit ndikon në rritjen e kostove të prodhimit dhe në mënyrë indirekte ndikon dhe të gjithë bizneset e tjera, sidomos ato prodhuese të cilat do të përballen me rritjen e kostove të lëndëve të para. 
E pikërisht kjo është dhe arsyeja kryesore se përse interesi i bizneseve për të siguruar mënyra alternative për prodhimin e energjisë elektrike ka aktualisht një interes të lartë. 
Shumë biznese SME që janë klientët tanë tashmë kanë realizuar investimet në Panele Fotovoltaike dhe po prodhojnë normalisht nga panelet e tyre energji për nevojat e aktivitetit të tyre, duke u furnizuar shumë pak nga rrjeti publik. Nëse ndalemi dhe analizojmë shifrat, prej vitit 2019 me mbështetjen tonë janë realizuar rreth 30 projekteve. Nëse krahasojmë si numër, në projektet që kemi financuar vihet re një rritje progresive e numrit të tyre që nga viti 2019 deri më sot. Shume  biznese të mesme dhe të mëdha kanë investuar në impiante fotovoltaike me kapacitet të instaluar prej rreth 13 MWp  (referuar të dhënave zyrtare të kompanive instaluese). Vetëm gjatë 10 muajve të fundit ne kemi mbështetur dy herë më shumë projekte krahasuar me total vitin 2019 dhe 2020, së bashku. Kjo shifër kaq pozitive demonstron qartë interesin në rritje dhe gatishmërinë tonë si bankë për të ofruar mbështetje maksimale qe këto investime të lulëzojnë edhe në Shqipëri.


Si e shihni potencialin që paraqet Shqipëria për investime ne energjinë diellore?
Shqipëria ka një potencial të lartë për shfrytëzimin e energjisë diellore. Është me vlerë të theksohet fakti se Shqipëria renditet si vendi i tretë në Evropë pas Spanjës dhe Greqisë për sa i përket rrezatimit diellor. Bazuar në prodhimin e energjisë elektrike nga fotovoltaikët të klientëve të ProCredit Bank, mesatarja e prodhimit është rreth 1,500 kWh/kWp. Pra për 1kWp të instaluar, paneli fotovoltaik prodhon mesatarisht 1,500 kWh/vit energji elektrike, duke e bëre investimin që të kthehet për një kohë shumë të shkurtër, kohë kjo e cila llogaritet të shkojë mesatarisht 6-7 vite.

Çfarë produktesh ofron aktualisht banka juaj në lidhje me financimin në energjitë e rinovueshme? 
Banka ProCredit, si një bankë e cila është e fokusuar që të sigurojë një ndikim pozitiv në zhvillimin e qëndrueshëm të vendeve ku operon, promovon dhe sugjeron të gjithë klientët e saj por edhe të gjithë bizneset shqiptare të investojnë në shfrytëzimin e energjisë së rinovueshme. Veçanërisht energjia fotovoltaike, pasi është një energji e lirë, e qëndrueshme dhe mbi të gjitha e pastër.
Ne ofrojmë një kredi të veçantë për investimet në panele fotovoltaike e cila është e vlefshme si për biznese të vogla, të mesme, të mëdha, gjithashtu dhe individë që dëshirojnë të investojnë në banesat e tyre.
Termat e kësaj kredie janë mjaft lehtësuese, ku mund të shkohet me financim nga banka deri në 100% të investimit dhe si garanci mund të shërbejë impianti që po ndërtohet. Gjithashtu favorizuese janë dhe interesat bankarë dhe koha shumë e shpejtë e aprovimit që ne si ProCredit ofrojmë.

Sa kohë ka që është në treg produkti, si ka qenë interesi nga viti në vit dhe si ka qenë ecuria? 
Ky shërbim financiar ofrohet që prej muajit korrik 2019, kohë kur ka dalë edhe udhëzimi për skemën e “Net-Metering”. Këtu duhet të theksoj se kjo skemë ka qenë nxitja kryesore për investime në impiante fotovoltaike deri në 500 kWp.
Në vitin 2019 banka jonë ka qënë mjaft aktive dhe ka kryer një fushatë informimi të klientëve në lidhje me kriteret ligjorë, kriteret teknike dhe avantazhet që ne si bankë ofrojmë. Përsa i përket volumit të portofolit të  investimeve në impiante fotovoltaike të vogla deri në 500 kWp, ka patur një rritje të kënaqshme.  Si volum deri në tetor 2021 ProCredit Bank ka financuar rreth 6.3 MWp fuqi të instaluar, ose rreth 50% te total kapacitetit të instaluar në rang vendi. Kjo shifër na bën të ndihemi krenarë që kemi arritur të ri konfirmojmë përqasjen tonë ndaj mbrojtjes së mjedisit dhe nxitjen e investimeve që sjellin përdorim të teknologjive të reja që nga një anë ulin shpenzimet e bizneseve, apo kostot e produkteve dhe nga ana tjetër rrisin konkurrueshmërinë e tyre në treg përmes përdorimit të burimeve të qëndrueshme.

Cilat janë bizneset më të interesuara për këtë aspekt nëse shohin anën e sektorit që i përkasin (për shembull turizmi, agro-përpunimi etj)? 
Bizneset më të interesuara janë kryesisht ato ato biznese të cilat kanë konsum të lartë të energjisë elektrike. Këto biznese i përkasin sektorëve të ndryshëm të industrisë, agro-përpunimit, hotelerisë dhe sigurisht sektori i prodhimit të energjisë. Duke u bazuar në projektet e deritanishme, rreth 75% e investimeve që ne kemi mundësuar i përkasin sektorit të prodhimit dhe agropërpunimit, por që potencial i lartë vlerësohet të ketë dhe turizmi e shërbimet e tjera.

A po shihni mundësinë e zgjerimit apo rishikimit të produkteve bankare të dedikuara për energjinë e rinovueshme? Dhe nëse po, në cfarë aspekti?
Në fakt, ne jemi banka e vetme në vend që kemi një strukturë të dedikuar të lokalizuar në Zyrat tona Qëndrore, si pasojë e fokusit të madh që kemi në nivel grupi bankash. Njësia Mjedisore është një strukturë e përbërë nga specialistë të fushës që përveçse ofrojnë të gjithë asistencën teknike që Këshilluesit e Biznesit mund të kenë nevojë, marrin edhe praktikat më të mira të Grupit ProCredit dhe i ndajnë më pas në nivel banke për një informim të plotë të të gjithë stafit të bankës. Sepse për ne përqasja mjedisore i ka bazat së brendshmi si institucion duke u transmetuar më tej dhe klientët tanë. Çdo financim që ne japin i nënshtrohet një analize të detajuar për të identifikuar riskun social dhe mjedisor që investimi mund të ketë, duke na diferencuar ndjeshëm  në treg si një bankë me përgjegjshmëri të lartë dhe si tepër e ndjeshme për sa i përket ndikimit në ambient. Synimi ynë i përhershëm është financimi i sa më shumë projekteve që: sjellin rritjen e efiçencës së energjisë; implementimi i projekteve që përdorin energjinë e rinovueshme; si dhe nxitja dhe promovimi i investimeve miqësore me mjedisin. Në këtë kuadër sigurisht që do vazhdojmë të kemi një fokus të lartë mbi këto investime duke ofruar kushtet më të mira në treg, eksperiencë dhe kualifikim të lartë të stafit. 
Jo vetëm kaq, por si bankë kemi lidhur marrëveshje me kompani të specializuara që ofrojnë projektimin dhe zbatimin e projekteve të paneleve fotovoltaike, duke lehtësuar edhe më tepër procesin e financimit të tyre dhe siguruar aprovim sa më të shpejtë. Duke marrë në konsideratë kthimin e shpejtë të investimit, kohën e shpejtë të instalimit por edhe luhatjet e çmimit të energjisë në tregun e lirë, investimet në impiante fotovoltaike për vetë-konsum nga bizneset, tregojnë që këto investime kanë një potencial të lartë për Shqipërinë. Kjo na angazhon që të mbajmë një fokus strategjik më këtë sektor dhe forcojmë edhe më tej pozitën tonë si një bankë lider në mbështetjen e investimeve të gjelbra në vend.